Shfaqja e Qendrës Multimedia “TË GJASHTËT KUNDËR TURQISË” do të luhet të hënën, më 9 mars, duke filluar nga ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
E krijuar nga një kolektiv ndërkombëtar teatror me artistë/e nga Kosova, Turqia dhe vende të tjera të BE-së, shfaqja performohet në shqip, anglisht dhe turqisht. E frymëzuar nga “Të shtatët kundër Tebës”, ajo ofron një shikim të nuancuar mbi Turqinë e Erdoganit dhe ngre pyetje të rëndësishme: pse shoqëritë e bazuara mbi pluralizmin shpesh dështojnë të mbajnë premtimet e tyre? Pse shumë politikanë po ndjekin rrugën e ideologjive shtypëse?
“Të gjashtët kundër Turqisë” trajton këto çështje me relevancë globale, duke treguar se regjimet autoritare, duke ushtruar terror, dhunë dhe përndjekje, shkatërrojnë njerëzit e vet dhe ndikojnë përtej kufijve të tyre. Kjo shfaqje nuk është thjesht për individët që kundërshtojnë një qeveri, por për qeveritë dhe shtetet autoritare që përdorin pushtetin për shtypje dhe frikësim.
Dramaturgu i njohur britanik, Mark Ravenhill, e ka përshkruar shfaqjen si: “Një pasqyrë epike e përpjekjeve politike, e spikatur me satirë dhe një nuancë absurdi. Six Against Turkey është një vepër e re e rëndësishme nga një dramaturg i njohur bashkëkohor.”
Shfaqja është pjesë e repertorit të programeve teatrore vendore dhe ndërkombëtare që nga 16 tetori 2024, kur u mbajt premiera.