Qendra Multimedia prezanton:
PRISHTINA. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre
Premiera: 23 maj 2025, Teatri ODA, Prishtinë
Për shfaqjen:
Pikënisja e kësaj shfaqjeje është një histori krimi, e ndodhur 25 vjet më parë, në Prishinën e sapo çliruar që po administrohej nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Sipas të dhënave jozyrtare, mbi gjashtëdhjetë përqind e fshatrave shqiptare të Kosovës janë djegur e shkatërruar gjatë luftës nga ushtria dhe policia serbe. Prandaj, kur përfundoi lufta në qershor të vitit 1999, streha mbi kokë ishte njëra ndër çështjet më emergjente për shumicën e njerëzve. Administrata e Kombeve të Bashkuara nuk kishte zgjidhje të shpejtë për këtë problem. Por ‘zgjidhjen’ e ofruan njerëzit e nëntokës, biznesmenët e kompanitë e ndërtimit që u sulën për ta shfrytëzuar këtë ‘terren të plleshëm’ për përfitime personale.
Një shoqëri e tërë e traumatizuar nga lufta, në një përpjekje epike për t’iu rikthyer jetës, iu nënshtrua pavullnetshëm këtij grupi të nëntokës që u ofronte ‘zgjidhje’ banimi. Prishtina filloi të gëlojë nga ndërtesat që mbinin brenda natës, me cilësi të dobët ndërtimi, pa kurrfarë plani urbanistik e pa përfillur asnjë kriter ndërtimi. Parqet u kthyen në kantierë ndërtimi, hapësira publike u tkurr nga ndërtimet. Shtëpitë e vogla u rrënuan e mbi trojet e tyre mbinë rrokaqiej.
Atëbotë, arkitekti e planifikuesi hapësinor i Prishtinës, Rexhep Luci, pothuajse i vetëm, bënte përpjekje të vinte kontroll urbanistik. Por ajo nuk ishte kohë e njerëzve që mendonin për të ardhmen. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa herë nga njerëzit e nëntokës dhe pastaj më 11 shtator të vitit 2000, në hyrje të banesës së tij në Prishtinë, ishte vrarë nga vrasës të panjohur.
Rexhep Luci është si doktor Stokmani i Ibsenit. Veçse, për të vërtetën e tij për Prishtinën, ai pagoi çmim shumë më të lartë.
Sot çështja e ndërtimeve pa leje në Prishtinë dhe në Kosovë ka marrë përmasa katastrofike. Duke u ndërtuar në to pa plan e pa kontrollë, qytetet tona janë bërë ngulfatëse; hapësirat publike të pasigurta dhe jo miqësore. “PRISHTINA. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” trajton këto çështje në skenë dhe synon të na ftojë ta rimendojmë raportin dhe përgjegjësinë tonë për qytetin, në një kohë kur ky cikël shkatërrues është institucionalizuar e normatizuar.
Këto mëse 25 vjet pas përfundimit të luftës, qyteti i Prishtinës është shndërruar në një kantier të madh ndërtimi – ndoshta kantieri më i madh në planet. Një qytet paralel, fantazmë, qëndron mbi të si kërcënim për jetën dhe të ardhmen.
Regjia: Blerta Neziraj // Aktorë: Armend Smajli, Verona Koxha, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj // Skenografia: Alice Vanini // Kostumet: Njomza Luci // Muzika: Tomor Kuçi // Koreografia: Gjergj Prevazi // Video: Besim Ugzmajli // Ass. Regjisor: Gëzim Hasani // Drejtore arti: Aurela Kadriu // Hulumtues dhe bashkëpunëtor artistik: Agron Demi & Instituti Atlas // Dramaturgjia: Jeton Neziraj // Dritat: Mursel Bekteshi // Mbeshtetje zhvillimore: Sven Skoric // Përkthyese: Alexandra Channer // Koordinimi: Flaka Rrustemi // Mbështetje teknike: Bujar Bekteshi, Adem Salihu, Nikolas Pipero, Arbresha Caka, Njomza Rexha.
*Bazuar në dramën "Pesë stinët e armikut të popullit" të Jeton Nezirajt
Shfaqja është pjesë e projektit "Future Narratives for Planet Earth" të mbështetur nga Bashkimi Evropian, përmes Evropës Kreative. Partnerë: UniT Graz (Austri), Het Nieuwstedeljik (Belgjikë), Theatre Bellevue (Holandë), Cesie Ets (Itali), The Hessisches Landestheater Marburg GmbH (Gjermani), Mhtconsult (Danimarkë).
***
Përmbledhje shtypi
“Prishtina është si ‘një ndërgjegje e shtypur nën blloqe të rënda betoni’, dhe teatri shndërrohet në një hapësirë për vetëreflektim”
TEB Oyun, Turkey
“Drama e përditësuar e Nezirajt është njëkohësisht një kanal për pikëllimin dhe një thirrje për mobilizim”
Seestage, International
“‘Prishtina: Vrasja e Paramenduar e një Ëndrre’ nuk ishte një rishkrim. Ishte diçka më e thellë: Një rrëfim, akuzë, dhe ndoshta, një përpjekje për t’u shpaguar“‘
Kosovo2.0, International
“‘Prishtina: Vrasja e Paramenduar e një Ëndrre’… vjen si një narrativë e fuqishme dhe e guximshme që kundërshton politikat e planifikimit urban”
KOHA, Kosova
“Interpretimet e aktorëve janë natyrale, kurrë të ekzagjeruara, çka e forcon realizmin e përgjithshëm të vënies në skenë. Ajo që në fillim mund të duket si një qasje e drejtpërdrejtë, gradualisht ndërton intensitet dhe, në skenën e fundit, jehona emocionale bëhet e pamohueshme”
Sarajevo Theatre Showcase, Bosnia and Herzegovina
“Pothuajse një kujtesë për ne, të shpërqendruar dhe kryesisht perëndimorë, se sa shumë ato ngjarje ende peshojnë, 25 vjet më vonë, mbi historinë civile të atij rajoni, mbi teatrin e tij — dhe se aspekti dokumentar, përkujtimor, është në vetë zemrën e këtij teatri”
Quantescene, Italy