Platforma e digjitalizuar e librave

Organizata FLOSSK ka lansuar platformën me libra të digjitalizuar books.flossk.org të cilat konsiderohen vepra e përkthime të rralla në gjuhën shqipe. Kësaj platforme vazhdimisht do t’iu shtohen libra të tjerë të skanuar dhe edituar nga vullnetarët. FLOSSK poashtu ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Fondacionin Lumbardhi për dhurimin e skanerit për digjitalizimin e publikimeve dhe arkivit që mban ky institucion kulturor në Prizren. FLOSSK dhe Lumbardhi do të bashkëpunojnë në digjitalizimin e Gazetës Zëri, gazetës TAN, kompletimin e arkivit digjital të Gazetës Rilindja si dhe revistave Jeta e Re, Përparimi dhe Çevren, të cilat po ashtu do të jenë publike me qasje të lirë. Ky projekt u mundësua nga programi Kultura për ndryshim që financohet nga Bashkimi Evropian, menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut.