Profili i bibliotekës së qytetit “Sadik Tafarshiku” – Ferizaj

Themelet e bibliotekarisë në Ferizaj u vunë në fillim të viteve të ‘50-ta, me themelimin e bibliotekës së parë të qytetit e cila në atë kohë u quajt “Jovan Popović”. Biblioteka funksionoi nën këtë emër deri pas  luftës, kur mori karakter të bibliotekës ndërkomunale dhe iu vu emri “Anton Çetta”, sipas veprimtarit dhe mbledhësit të folklorit shqip.

Përpos bibliotekës ndërkomunale “Anton Çetta”, me nismë të Komunës së Ferizajt dhe mbështetje të USAID-it, më 2001 u përurua Biblioteka e Qytetit të Ferizajt “Sadik Tafarshiku”.  Më 2010, biblioteka ndërkomunale dhe ajo e qytetit u shkrinë dhe sot funksionojnë si një entitet i vetëm në ndërtesën e ngritur më 1912, në qendër të qytetit.

Përpos qendrës kryesore në Ferizaj, biblioteka “Sadik Tafarshiku” ka katër biblioteka degë në fshatrat Nerodime, Komogllavë, Talinoc të Muhaxherëve si dhe Dardani. Biblioteka në qendër bashkë me katër degët menaxhohen nga gjithsej 15 punëtorë të cilët punojnë nëpër sektore të ndryshme.

Çdo vit, biblioteka “Sadik Tafarshiku” regjistron rreth  4,000 anëtarë. Edhepse sipas drejtoreshës Teuta Demiri, viteve të fundit është vërejtur një trend i rënies së lexuesve të regjistruar në bibliotekë, megjithatë rënia nuk ka qenë e madhe, meqë numri i të regjistruarve nga viti në vit  varion nga 3500 deri në 4100 lexues të anëtarësuar.

“Menjëhere  pas luftës biblioteka ka pasë numrin më të madh të lexuesve, domethënë deri në vitin 2005-2006, Biblioteka e Ferizajt ka qenë një ndër bibliotekat me numrin më të lartë të lexuesve. Në vitin 2010 jemi bërë bashkë dy bibliotekat, mirëpo të them të drejtën, katër vitet e fundit ka rënë numri i lexuesve, mirëpo kjo është një rënie e lehtë. Domethënë [më herët] i kemi regjistru 4000 – 4100 lexues në vit, tani i regjistrojmë 3800-3900. Domethanë sillet afër 4000-shit”.

Për sa i përket fondit librar dhe atij arkivor, biblioteka “Sadik Tafarshiku” është e pasuruar me 60,000 tituj të librave të ndryshëm, ndërsa në periodikun e saj, gjenden gazetat e përditshme lokale dhe qendrore, si “Rilindja”, numrat e së cilës mund të gjenden në këtë bibliotekë nga vitet e ‘50-ta deri në fund të botimit të saj. Gazeta të tjera të arkivuara në bibliotekën “Sadik Tafarshiku” janë “Zëri” dhe  “Bujku”. Të gjitha këto materiale përbëjnë pasuri të veçantë për bibliotekën dhe komunitetin, pasi sipas drejtoreshës Demiri, institucioni të cilin ajo drejton vizitohet shumë shpesh nga studiues të ndryshëm të cilët për punën e tyre shërbehen me material arkivore të cilat ruhen aty.

Stafi i bibliotekës sigurohet që të organizojë të paktën dy ngjarje në muaj të karakterit të diskutimeve publike; ekspozitave dhe promovimeve të librave, por sfidë mbetet pamundësia për të financuar organizimin e mirëfilltë të një plani vjetor të ngjarjeve. Sfidë jo më pak e vogël është mungesa e strategjisë dhe stafit për komunikim, e cila do t’ia mundësonte bibliotekës të tërhiqte më shumë audience rreth ngjarjeve të organizuara në të.

Aktualisht, biblioteka “Sadik Tafarshiku” në Ferizaj është nën menaxhim dhe financim të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport pranë Komunës së Ferizajt, mirëpo nuk mungon as bashkëpunimi me organizata të ndryshme të shoqërisë civile vendore dhe ndërkombëtare.

Falë bashkëpunimit me bibliotekën e Llozanës, sipas drejtores Demiri, është mundësuar formimi i këndit të librit në gjuhën frënge. Ndërsa perms bashkëpunimit me organizatën BONEVET dhe qeverinë kroate, biblioteka “Sadik Tafarshiku” ka arritur të sigurojë pajisje teknologjike për shkollën e mesme teknike  “Pjetër Bogdani” në Ferizaj, ndërsa gjatë gjithë vitit, biblioteka mirëmban bashkëpunim të rregullt me shkollat fillore të komunës së Ferizajt, duke i mbështetur ato në themelimin e bibliotekave të veta dhe duke i ftuar nxënësit e tyre për të qenë pjesë e aktiviteteve të bibliotekës.

Sipas Demirit, për momentin biblioteka është në fazën e dytë të implementimit të projektit  prej 100.000 eurosh të financuar nga Komuna e Ferizajt, ei cili përbën shumën më të madhe të ndarë ndonjëherë për këtë institucionnga Komuna e Ferizajt. Ky project ka të bëjë me përditësimin e fondit librar të komunës  me libra të botuar së fundmi. Megjithatë, sipas Demirit, sfidë e madhe për bibliotekën e qytetit mbetet pikërisht pamundësia për të qenë në hap me botimet e fundit dhe për t’ua mundësuar lexuesve që titujt e fundit t’i kenë në bibliotekë.

Ndërtesa e bibliotekës së Ferizajt është e pajisur me një sallë të veçantë leximi, dhe me një sallë tjetër të ndarë në gjashtë korridore e cila shërben si sallë pune për grupe të cilat kanë nevojë të komunikojnë mes vete gjatë kohës në bibliotekë. Poashtu, biblioteka ka edhe sallën e leximit për fëmijë si dhe sallën e aktiviteteve.

(Ky artikull është shkruar në kuadër të aktiviteteve të programit Kultura për Ndryshim në mbështetje të bibliotekave publike. Programi Kultura për Ndryshim financohet e menaxhohet nga Bashkimi Evropian ndërsa implementohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut).