arkiva

Së shpejti, shfaqja për fëmijë “Gamomali”

Prishtinë, 24 qershor, 2013

Kanë filluar këtyre ditëve provat e shfaqjes për fëmijë (mosha 5+) “Gamomali” me tekst të Jeton Nezirajt dhe në regji të Fatos Berishës. Në këtë shfaqje, që është produksion i Qendrës Multimedia luajnë aktorët: Adriana Matoshi, Arben Zharku, Kaona Sylejmani dhe Ylber Bardhi. Shfaqja “Gamomali” do ta ketë premierën në muajin shtator për të vazhduar më pas me prezentime në shkollat fillore të Kosovës në kuadër të festivalit “Play for all”, projekt i cili implementohet nga SOS Fshatrat e Fëmijëve dhe financohet nga Komisioni Evropian. Skenografia dhe kostumet për shfaqjen janë punuar nga Yllka Brada. Koordinatore e terrenit është Sunita Kurti.
Shfaqja do të ketë si target fëmijët e shkollave fillore të Kosovës.

“Gamomali”, flet për procesin e mundimshëm dhe përplot peripeci nëpër të cilin kalojnë prindërit kur rrisin fëmijët e tyre. Babai, nëna, vajza e tyre Eleonora, dhe Papagalli jetojnë në varfëri, në një shtëpi thellë në mal. Eleonora, një ditë sëmuret, dhe rrugës për te mjeku, ajo grabitet nga Gamomali, i cili, pasi ia jep barin e harresës, e shndërron në lypse. Babai dhe nëna e saj kalojnë vitet në mërzi të thellë për humbjen e Eleonorës, të cilën e kujtojnë si të vdekur. Por kur një ditë, mbas shumë vitesh në kafaz, papagalli fiton lirinë dhe lihet i lirë, ai e gjen Eleonorën. Takimi i Eleonorës me papagallin e prishë magjinë e barit të harresës. Eleonorës sërish i kujtohet shtëpia, i kujtohet babai, nëna dhe gjithcka tjetër…
Shfaqja, vec të tjerash, na tregon sesa shumë vuajm kur dikush na lëndon, por ne shpesh harrojmë që edhe ne jemi ata që i sjellim vuajtje dikujtë tjetër.