FEMART sivjet ka shënuar edicionin e gjashtë

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, me projektin FEMART është njëra nga orgnizatatat e përkrahura nga Thirrja e parë për aplikime e programit Kultura për ndryshim, projekt i financuar nga BE, menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Insitut.  Me grantin e fituar kjo organizatë ka realizuar një pjesë të aktivitetve të planifikuara.

Artpolis këtë vit ka shënuar edicionin e 6-të të festivalit FEMART – (Festivali Rajonal i Artisteve dhe Aktivisteve), i mbajtur nga 25 – 30 maj 2018. FEMART është festivali më i madh feminist në rajonin e Ballkanit që për gjashtë vite bashkon artiste dhe aktiviste nga mbarë bota.

FEMART synon promovimin e artit me mesazhe për fuqizimin e grave dhe të drejtave të njeriut përmes performancave artistike, shfaqjeve teatrale, filmave, koncerteve muzikore, promovimeve të librave, instalacione arti, poezi dhe forma të tjera. Këtë vit, FemArt ka shpalosur programin në tri komuna: Prishtinë, Ferizaj dhe në Mitrovicën Veriore.

FemArt 6-të është udhëhequr nga motoja TI UDHËHEQË, duke inkurajuar qëndrueshmëri dhe solidaritet për gratë dhe burrat të cilëve ju shkelen të drejtat themelore për shkak të përkatësive të tyre etnike, racore, preferencave seksuale dhe pozitës shoqërore.

Në komunën e Ferizajit, programi ka nisur me një punëtori “Qasja kreative – Riciklimi i letrave “.  Pas kësaj punëtorie është mbajtur konferenca “Pjesëmarrja e të rinjëve në proceset vendimmarrëse”. Pastaj dita ka vazhduar me Forum Teatrin “Stigma”. Në mbrëmje është shfaqur filmi “Mendoj për ty” nga Alketa Xhafa Mripa, film i dedikuar grave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë. Mbrëmja u shoqërua me muzikë nga Dj Learta Lila.

Në Mitrovicën e Veriut programi filloi me panelin diskutues “Gratë Feministe në Kosovë”, pastaj pasoi hapja e ekspozitës së vizatimeve dhe pikturave “Gratë”. Programi i ditës së parë të FemArtit për komunën e Mitrovicës së Veriut u përmbyllë me shfaqjen “Trojanet”, projekti i përbashkët i Teatrit La Mama nga New York dhe Artpolis, shoqëruar nga pjesëmarrja e aktorëve lokalë dhe muzikantëve nga komuniteti shqiptarë, serbë dhe romë.

Shfaqja “Trojanet” u shfaq gjithashtu edhe në Kalanë e Prizrenit ku qytetarët e kanë mirëpritur me shumë emocione të veçanta dhe janë fasionuar nga loja eksperimantale e aktoreve dhe aktorëve profesional të Kosovës.