Konsultimet Poetike në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë



Frymëzuar nga “Nata e solidaritetit 2025” që do të ndodh në Paris dhe nëpër Francë,  Qendra Multimedia me “Konsultimet poetike” do të vizitojë Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë më 23 janar, 2025. 

Në këtë ditë solidariteti, aktorët tanë Albulena Kryeziu Bokshi, Aurita Agushi, Adrian Morina e Armend Smajli, do të kalojnë kohë me të moshuarit që banojnë në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, duke shkëmbyer biseda, poezi e këngë me ta. 

Konsultimet Poetike është praktikë e re e të menduarit të raportit publik-aktor, e imagjinuar nga drejtori i Teatrit të Qytetit të Parisit Emmanuel Demarcy-Mota dhe autori Fabrice Melquiot. Konsultimet poetike janë biseda individuale me një artist. Secila konsultë ndodh rreth një tavoline: fillon me një bisedë të lirë dhe përfundon me leximin e një poezie apo këndimin e një kënge nga aktori/ja, të cilat zgjedhen specifikisht për personin përkatës të cilit/ës i lexohen/këndohen. Në fund të konsultës, personi në anën tjetër të tavolinës pranon një poezi apo këngë në formë të personalizuar të “recetës poetike” 

E konceptuar në janar të vitit 2020 në kohën e pandemisë COVID-19, praktika e konsultimeve poetike tashmë është e shpërndarë në më shumë se 18 shtete të botës dhe vazhdon të bashkojë artistë e artiste nga e gjithë bota. Deri më tani, më shumë se 250 artistë e artiste nga 28 kombësi të ndryshme janë bashkë në ansamblin “Trupa e Imagjinatës”.

Qendra Multimedia e ka sjellur në Prishtinë për herë të parë këtë praktikë në maj të vitit 2024, në bashkëpunim me Teatrin e Qytetit të Parisit (Francë), Teatrin Kombëtar të Pergolas (Itali) dhe Teatrin e Qytetit të Lisbonës (Portugali). 

Frymëzuar nga “Nata e Solidaritetit” në Francë, konsultimet poetike në janar do të ndodhin nëpër vende të ndryshme të Evropës sipas orarit të mëposhtëm: 

Firence, Itali
Teatri i Pergolas 

  • 21 janar // Konsultimet Poetike në Shtëpinë e të Pensionuarve Montedomini/EHPAD (14:30-17:30)
  • 22 janar // Konsultimet Poetike në Zyrën Qendrore të Kryqit të Kuq në Firence (20:00 - 22:00) 

Paris, Francë
Théâtre de la Ville

  • 23 Janar // Një mbrëmje e rrëfimtarisë, leximeve dhe muzikë kushtuar grave viktima të dhunës, të rinjve të izoluar dhe njrëzve në kushte të vështira, në bashkëpunim me disa shoqata në Théâtre de la Ville-Sarah Bernhardt (Les Œillets)
  • Dhjetor - Janar // Ngjarje solidariteti për Krishtlindje 

Prishtinë, Kosovë
Qendra Multimedia në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës 

  • 23 janar  // Konsultimet Poetike në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë

Lisbonë, Portugali
Teatri i Qytetit São Luiz

  • 23 janar // Konsultimet Poetike në shtëpinë e fëmijëve Casa Pia

Lajme