Qendra Multimedia nga Prishtina në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahviogli” dhe Qendrën M.A.M, do të sjellin për herë të parë në Tiranë ngjarjen më të madhe teatrore në rajon, ‘Kosovo - Albania Theatre Showcase - 2024’.
Nga data 29 tetor deri më 2 nëntor, mbi 100 mysafirë ndërkombëtarë, ndër të cilët selektorë festivalesh, kritikë e gazetarë teatri si dhe profesionistë të ndryshëm të teatrit nga Amerika, Gjermania, Franca, Italia, Polonia, Suedia, Norvegjia, Hong Kongu, Tajlanda, Anglia, Greqia, Rumania, Moldavia, Bullgaria, Serbia, Portugalia, Holanda, Mali i Zi, Çekia, Ukraina, Estonia, e shumë vende të tjera, do të mblidhen në Tiranë për një program të larmishëm me shfaqje teatrore, panele diskutimi, ngjarje të natyrës promovuese për dramaturgë e artistë të rinj të teatrit si dhe ngjarje edukative. Në total, do të prezantohen 10 shfaqje teatri nga Shqipëria, Kosova, Greqia e Serbia, si dhe do të ketë dhjetra ngjarje përcjellëse, për teatrin, dramaturgjinë e kritikën teatrore.
Programi do të hapet më datë 29 nga ora 18:00 me shfaqjen “Lule Sajza”, prodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ndërsa do të pasohet me një performancë unike të grupit polifonik “Bashkimi” në ora 19:00 në ceremoninë zyrtare të hapjes së festivalit. Dita e parë do të vazhdojë me premierën e shfaqjes “Fausti” prodhuar nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë.
Më tutje, më 30 tetor programi do të hapet me diskutimin “Peisazhi teatror në Shqipërinë post-komuniste”, i cili mbahet nga ora 15:00 në hollin e ArTurbinës, për t’u pasuar me performancën “Bottecchia” nga aktorët e mirënjohur Ema Andrea e Rafael Hoxhaj në oborrin e ArTurbinës, të cilët do të shoqërohen nga regjisori italian Riccardo Ventrella e muzicientja shqiptare Sevasti Ndini. Në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të jipet shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë” e prodhuar nga Qendra Multimedia ngaa Prishtina.
Programi do të vazhdojë më 31 tetor tek Piramida, me ngjarjen “Konsultimet Poetike” ku publiku i gjerë do të ketë mundësinë e rrallë të ndërveprojë për së afërmi me aktorët e mirënjohur nga Shqipëria Ema Andrea, Rafael Hoxhaj, të cilëve do t’u bashkohen aktorët e njohur nga Kosova Adrian Morina e Albulena Kryeziu Bokshi si dhe aktorja nga Franca Gaelle Goillou. Paneli “Teatri në Hapësirë Publike” do të vazhdojë nga ora 11:30 në hollin e ArTurbinës ndërsa më vonë nga ora 14:30 në Qendrën Kulturore “Tulla” publiku do të ketë mundësinë të shohë shfaqjen “Ndërkombëtarët” nga Greqia. Në ora 17:00 programi vazhdon me shfaqjen “Të bardhët” prodhim i Qendrës Multimedia, në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, për t’u përmbyllur me shfaqjen “Kamarja e Turpit” të prodhuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës në ora 20:30 në sallën e Teatrit Kombëtar. Programi vazhdon të premten nga ora 15:00 me shfaqjen “Si mësova të vozis” nga Serbia, që do të jipet në Qendrën Kulturore “Tulla”, ndërsa nga ora 17:00 publiku do të ketë mundësi të shohë shfaqjen “Koncerti” në Teatrin Kombëtar Eksperimental, për ta përmbyllur ditën me shfaqjen “Vassa Zheleznova”, mysafire nga Teatri A.Z. Çajupi - Korçë.
Të shtunën nga ora 13:30 në Qendrën Kulturore “Tulla”, fragmente nga dramat e dramaturgëve të rinj Tobias Xhaxhiu e Ina Baqoshi nga Shqipëria, Ulpianë Maloku nga Kosova dhe Eva Kamcevska e Ana Trpenoska do të lexohen nga aktorët Eva Gjikaj, Ronaldo Kolgjokaj e Shandi Ismailaj, nën regjinë e Artemis Belulit.
Punëtoria “Post, Post Communist Baby” me dramaturgun e mirënjohur nga Anglia Mark Ravenhill do t’u ofrojë dramaturgëve nga rajoni mundësinë e rrallë për të mësuar shkrimin teatror, ndërsa punëtoria për analizë kritike me kritikët Natasha Tripney nga Anglia e Tom Mustroph nga Gjermania do të ofrojë mundësinë e cmuar për të kultivuar brezat e rinj të kritikëve të teatrit në rajon. Në total, rreth 30 pjesmarrës nga Shqipëria, Greqia, Kosova, Mali i zi, Serbia e Maqedonia e Veriut janë përzgjedhur për t’i përcjellur këto punëtori.
Për gjashtë vite me radhë, kjo ngjarje e përmasave ndërkombëtare është mbajtur në Prishtinë dhe ka qenë një platformë promovuese e rrjetëzuese për skenën vendore teatrore. Këtë vit, Qendra Multimedia e ka zgjeruar këtë platformë edhe në Shqipëri, me qëllim të promovimit të skenës teatrore të Shqipërisë.
Ndër emrat që do të marrin pjesë në këtë edicion të Kosovo Albania Theatre Showcase në Tiranë janë: Marco Giorgetti, drejtor i Teatri Kombëtar të Italisë "Teatro della Pergola" nga Firenze; Julia Wissert, drejtore e Teatrit të Dortmundit; Steven Morris, autor dhe kritik i njohur amerikan, ka qenë kryesues i çmimit amerikan për letërsi, Pulitzer; Miguel Loureiro, drejtor i Teatrit të Qytetit të Lisbonës; Daniel Přibyl, drejtor i Teatrit të Qytetit të Pragës; Petra Brylander, drejtore e Teatrit të Malmos; Susanne Burkhardt, redaktore në radion publike gjermane; Jørgen Knudsen, drejtor i teatrit 'Black Box Teater' në Oslo; Mark Ravenhill, dramaturg anglez, njëri nga më të njohurit në Evropë; A.Karim Jawad, kritik teatri, anëtar i Këshillit Shtetëror në Oman; Roy Horovitz, regjisor izraelit, drejtor i Israeli Theatre Showcase.
PROGRAMIN E PLOTË TË KOSOVO ALBANIA THEATRE SHOWCASE MUND TA GJENI KËTU
Kjo ngjarje e madhe teatrore në Tiranë eshtë mbështetur financiarisht nga Bashkia e Tiranës, Ministria e Kulturës e Kosovës, The Sigrid Rausing Trust, Rockefeller Brothers Fund dhe National Endowment for Democracy.