Mirësevini në edicionin e vitit 2025 të festivalit polip, që mbahet nën temën “Dhe prapë dielli lind: Artikulimi kreativ i rezistencave nëpër histori, gjeografi…përtej mureve”.
Organizuar nga Qendra Multimedia në bashkëpunim me Molla e Kuqe, edicioni i sivjetëm eksploron se si rezistencat - të rrënjosura në histori të afërta e të largëta - mund të kujtohen, riimagjinohen dhe ritregohen nëpërmjet artit.
Historia jonë është e shënjuar nga trazira politike, por për më tepër, nga shpirti i rezistencës. Në këtë, fatmirësisht nuk jemi vetëm. Nëpër botë, komunitete të ndryshme, gjithnjë janë ngritur kundër shtypjes. Secila prej këtyre kryengritjeve, ka pas vetes narrativën e vet të veçantë të guximit. Sot, teksa regjime autoritare po ringriten nëpër Evropë, na duhet t’i rivizitojmë këto tregime - jo si të kaluara të largëta, por si mësime të gjalla.
Ky edicion i festivalit është ftesë për të përqafuar fuqinë e artikulimit kreativ të rezistencave - jo vetëm për të hapur diskutime a për të nxjerrë kuptime, por edhe për të nderuar e njohur ata e ato që kanë guxuar të qëndrojnë në ballë të lëvizjeve shoqërore, të cilat janë bërë themeli i vlerave që sot i festojmë, por edhe na kërcënohen çdo ditë, duke prodhuar nevojë të përditshme për rezistencë e solidaritet. Përmes letërsisë, teatrit dhe një programi diskursiv, qëllimi ynë është t’ju japim jehonë këtyre zërave dhe të ofrojmë shpresë në kohë të pasigurta si këto që po i jetojmë.
Këtë vit, frymëzohemi nga vargjet e fuqishme të Migjenit: “Dhe prapë dielli lind / dhe rrezet e tij shkrepen nëpër ballnat tanë,” që duke pasë parasysh kontekstin në të cilin janë shkruar dhe vetë biografinë e autorit, nuk janë asgjë më pak se një thirrje për shpresë, për përbashkim e solidaritet. Një thirrje për më shumë besim në një agim të përbashkët, një agim më të mirë.
Jemi krenarë/e që për këtë edicion, kemi bashkuar forcat me Molla e Kuqe, një organizatë e pavarur kulturore që po menaxhon me Muzeun e Burgut të Idealit, i hapur rishtazi në Prishtinë. Së bashku, reflektojmë se si rezistencat - të kaluara e të tashme - mund të përkthehen në art që frymëzon, bën pyetje, dhe fundamentalisht, shëron.
Programi ynë hapet me shfaqjen “Hija e gjatë e Alois Brunner” [The Long Shadow of Alois Brunner] të Muddar Alhaggi, me regji të Omar Elerian, e cila tregon rrëfimin e një prej kriminelëve më famëkeq nazistë që i shpëtoi drejtësisë.
Po ashtu në Kino Armata shfaqim dokumentarin “Open Letters” të Katharina Dominice, që na çon në Zvicrën e vitit 1934, kur atje lëshoheshin lejeqëndrime sezonale për punëtorë emigrantë. Ky status ishte i dizajnuar ekskluzivisht vetëm për përmbushjen e nevojave të Zvicrës dhe impononte rregulla të ashpra për përfituesit. Punëtorët sezonalë nuk kishin të drejtë të marin me vete familjet e tyre dhe qëndrimi i tyre në Zvicër ishte i kufizuar në nëntë muaj për vit.
Shfaqja “Bëje ose vdis” është homazh për mbi 12 mijë ish të burgosur/a politikë/e nga Kosova në ish-Jugosllavi. Drama, e shkruar nga Jeton Neziraj, ndërtohet mbi themelin e rrëfimeve të ish të burgosurve politikë. Nga fillimi deri në fund të shfaqjes me regji të Blerta Nezirajt, këto materiale të ndjeshme trajtohen me dinjitetin që e meritojnë, duke e nderuar besimin dhe kurajon që nevojitet për të ndarë tregime personale nga burgu. Këtë shfaqje e prezantojmë në Muzeun Burgu i Idealit, në një përpjekje për të shkrirë hapësirën fizike dhe kujtesën në një përvojë të vetme për publikun.
Në çelitë e Burgut të Idealit prezantojmë një performancë ku aktorët do të lexojnë tregime të ish të burgosurve/ava politikë/e nga Kosova, duke krijuar një ballafaqim intim me zëra nga një e kaluar komplekse politike e aktivistëve/eve nga Kosova.
Dy diskutimet, “E kaluara që ndjek të ardhmen: Artikulimi kreativ i momentumeve historike” dhe “Sindroma e (jo)karakterit kryesor? Përfaqësimi i grave në letërsi” mbledhin artistë/e, shkrimtarë/e dhe studiues/e për të eksploruar ndërlidhjet ndërmjet betejave shoqërore dhe shprehjes artistike si dhe dukshmërinë dhe agjencinë e grave në letërsi qoftë si subjekte, qoftë si krijuese.
Të gjitha ngjarjet janë të hapura për publik. Mezi presim t’ju takojmë nga 15 deri më 17 maj në Teatrin ODA, Burgun e Idealit dhe Kino Armata, për të reflektuar, njohur e rezistuar, bashkë!
Aurela Kadriu
Programin e plotë do ta bëjmë publik së shpejti.