Komedia nga Kosova 'Negotiating Peace' (Të negocosh paqen), në të cilën luajnë aktorët e mirënjohur nga Kosova e Shqipëria, Shkumbin Istrefi, Meli Qena, Ema Andrea, Dukagjin Podrimaj etj., do të prezantohet në Teatrin e Pergolas në Firenze, më 8 dhe 9 maj.
Këto shfaqje në Firenze vijnë pas dhjetra prezentimeve të suksesshme të kësaj komedie politike në vende të ndryshme të Evropës. Jemi sidomos të lumtur që në Itali po rikthehemi me këtë shfaqje pas prezantimit të suksesshëm që patëm në festivalin Mittelfest në Cividale del Friuli në korrik të vitit të kaluar, ku aktorja jonë Ema Andrea edhe u shpërblye me çmimin prestigjioz Adelaide Ristori.
E frymëzuar nga libri i Richard Holbrooke “To End a War” dhe “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Kadaresë, shfaqja NEGOTIATING PEACE tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikat dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes!
E shkruar nga Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Nezirajt, shfaqja është prodhuar nga Qendra Multimedia e Prishtinës, në bashkëpunim me Teatrin e Pergolas (Itali); Festivalin euro-scene Leipzig (Gjermani); Teatrot e Qytetit Pragë (Çeki); R.A.A.A.M (Estoni); Mittelfest (Itali); Kontakt (Bosnjë dhe Hercegovinë); Black Box Teater (Norvegji) dhe My Balkans (SHBA/Serbi).