Produksion i Qendrës Multimedia – www.qendra.org
Premiera: 10 maj, 2022, Teatri Oda
Regjisor: Erson Zymberi // Autor: Jeton Neziraj // Aktorë: Tringa Hasani, Semira Latifi, Kushtrim Qerimi // Skenografia: Bekim Korça // Muzika: Trimor Dhomi // Koreografia: Gjergj Prevazi // Kostumet: Yllka Brada // Menaxhere e produksionit: Aurela Kadriu // Dritat: Mursel Bekteshi // Mbështetja teknike: Pajtim Krasniqi, Bujar Bekteshi // Asistente e produksionit: Flaka Rrustemi // Video: Ilir Gjocaj
Rreth shfaqjes
Burrneshat janë gra shqiptare që vendosin të jetojnë si burra. Pas një vendimi të pakthyeshëm, ato heçin dorë nga seksi dhe nga jeta e tyre si gra dhe fillojnë të jetojnë si burra, duke përfituar kështu disa nga privilegjet që në ato anë i gëzojnë vetëm burrat.
Perspektiva perëndimore e hulumtimit të fenomenit të burrneshave të përbetuara shqiptare ka qenë kryesisht ekzotike, pra, një shikim i “botës së civilizuar” ndaj asaj “të pacivilizuar”. Ka pasur poashtu njëlloj eksploatimi të llojit të vet që i është bërë këtij fenomeni dhe i cili është shfrytëzuar dhe përdorur nga të gjithë, veçanërisht nga mediat ndërkombëtare por edhe nga hulumtuesit e fushave të antropologjisë, sociologjisë, etnografisë e kështu me radhë. Një lloj intimiteti që këtyre burrneshave u ka garantuar akti i të kthyerit në burrneshë, krejt përnjëherë u është ekspozuar mediave dhe publikut, ekspozim i cili nuk u ka sjellur ndonjë përfitim burrneshave, përkundrazi, në shumë raste ato janë portretuar në dritën e primitivizmit dhe si ‘relikte’ të një shoqërie skajshmërisht patriarkale. Por për shumë nga këto gra, të vishesh si burrë dhe të bëhesh burrneshë ka qenë një akt emancipues. Ato e lidhin këtë akt me idenë e “lirisë”. Dave King e ka quajtur këtë fenomen si “migrim gjinor”, duke e krahasuar me migrimin gjeografik.
Në shfaqjen “Burrnesha”, antropologia angleze Edith, pas vizitës në veriun e Shqipërisë, takohet me Sose-n, njërën nga pak burrneshat e mbetura shqiptare. Të dyja, pastaj udhëtojnë në Londër, në një seri të prezentimeve publike në London University. Gjatë kësaj vizite, Sose bëhet pjesë e një queer performance që është duke u përgatitur nga Julian, që është një drag-queen e njohur e Londrës. Për Sosen takimi me një kulturë kaq të huaj bëhet çështje ekzistenciale.
“Burrnesha” trajton fenomenin e burrneshave, nën dritën edhe të debatit të tanishëm mbi çështjet gjinore, si dhe adreson konceptin e lirisë, respektivisht mos-lirisë në shoqëritë me vlera, koncepte e konstrukte të ndryshme shoqërore.
Ky është produksioni i parë në gjuhën shqipe i kësaj drame. Më herët ajo është vënë në skenë në gjermanisht, në Zvicër, si një bashkëprodhim i forever productions, Schlachthaus Theater Bern, Theater Winkelwiese Zürich, Kleintheater Luzern dhe Kellertheater Winterthur.