Vitin e kaluar, Qendra Multimedia (Prishtinë), Royal District Theatre (Tbilisi), Teatri Akademik i Kievit në Peçersk (Kiev) dhe Örnproduktion (Stokholm) bashkuan forcat për të zhvilluar projektin “Unrecognized”, një ide e re konceptuale që lindi nga një shkëmbim dhe bashkëpunim intensiv ndërmjet partnerëve të lartpërmendur.
Me mbështetjen e Institutit Suedez, në kuadër të TBILISI + project, “Unrecognized” do të zhvillohet gjatë periudhës 2025–2027 dhe do të përfshijë një sërë produksionesh teatrore dhe ndërhyrjesh kulturore në Gjeorgji, Kosovë, Ukrainë, Suedi dhe shtete të tjera të Evropës.
Në aspektin tematik, “Unrecognized” do të trajtojë kompleksitetin e grupeve minoritare të panjohura dhe shpesh të padukshme, si dhe të territoreve të panjohura dhe/ose të pushtuara në Evropë. Duke u mbështetur në përvojat e përbashkëta të vendeve partnere — Kosovës, Gjeorgjisë dhe Ukrainës — projekti synon të krijojë dhe prezantojë një produksion teatror ndërkulturor që trajton identitetin në kuptimin e tij më të gjerë, zhvendosjen dhe sovranitetin.
Ky projekt do të bashkojë artistë të teatrit, përfaqësues të botës akademike dhe komunitete lokale për të bashkëkrijuar performanca teatrore që eksplorojnë tema politikisht të ndjeshme, duke nxitur njëkohësisht dialogun dhe mirëkuptimin përtej kufijve.