Shfaqja “PRISHTINA. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” në Aarau të Zvicrës



Shfaqja e suksesshme e Qendrës Multimedia “Prishtina. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” do të prezantohet më 30 dhe 31 tetor 2026, në ora 20:00, në teatrin Bühne Aarau , në qytetin Aarau të Zvicrës. 

E shkruar nga Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Nezirajt, në shfaqje interpretojnë Adrian Morina, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi, Verona Koxha dhe Afrim Muçaj.

Pikënisja e shfaqjes "Prishtina. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” është një histori krimi, e ndodhur 25 vjet më parë, në Prishinën e sapo çliruar që po administrohej nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Atëbotë, arkitekti e planifikuesi hapësinor i Prishtinës, Rexhep Luci, pothuajse i vetëm, bënte përpjekje të vinte kontroll urbanistik. Por ajo nuk ishte kohë e njerëzve që mendonin për të ardhmen.

Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa herë nga njerëzit e nëntokës dhe pastaj më 11 shtator të vitit 2000, në hyrje të banesës së tij në Prishtinë, ishte vrarë nga vrasës të panjohur. Por nga një histori e lidhur ngushtë me Prishtinën, drama merr një dimension më universal, duke e ftuar publikun të rishqyrtojë marrëdhënien tonë me qytetin, hapësirën publike dhe përgjegjësinë kolektive për të ardhmen e tij.

“Prishtina. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre”, përveç në Kosovë, është prezantuar me sukses edhe në skena ndërkombëtare.

Lajme