Shfaqja nga Kosova “Nën hijen e një peme u ula dhe qava”, me regji të Blerta Nezirajt dhe tekst të Jeton Nezirajt, do të prezantohet në São Luiz Teatro Municipal në Lisbonë, Portugali, për tri netë, nga 23 deri më 25 tetor 2026.
Produksioni trajton aksionin e pajtimit të gjaqeve në Kosovë dhe Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin në Afrikën e Jugut, duke vënë në fokus proceset e shërimit shoqëror, pajtimit dhe faljes.
E shkruar dhe e vënë në skenë nga dy prej krijuesve të njohur të teatrit në Kosovë, Jeton Neziraj dhe Blerta Neziraj, në bashkëpunim me Greg Homann, drejtor artistik i Market Theatre, shfaqja sjell në skenë një kastë aktorësh nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Afrika e Jugut. Aktorët shqiptarë në këtë projekt janë: Adrian Morina, Ilire Vinca dhe Amernis Nokshiqi, kurse nga Afrika e Jugut në skenë janë: Gontse Ntshegang, Kensiwe Tshabalala, Les Made dhe Bongile Gorata Lecoge-Zulu.
Ky produksion i Qendrës Multimedia, në bashkëpunim me The Market Theatre të Johanesburgut, ka marrë deri më tani vlerësime të shumta pozitive nga kritika ndërkombëtare. Deutschlandfunk Kultur nga Gjermania e ka cilësuar si “një produksion të rëndësishëm”, duke vlerësuar “energjinë dhe humorin e shkëlqyer” të tij, si dhe ndërthurjen e përvojave historike dhe artistike mes Kosovës dhe Afrikës së Jugut.
Pas prezantimit në Afrikën e Jugut në prill të vitit 2026, dhe prezentimeve në Norvegji e Itali, produksioni po vijon turneun e tij evropian gjatë pjesës së dytë të vitit 2026, për t’u prezantuar më pas edhe në Nju Jork, në vjeshtën e vitit 2027.