Shfaqja ndërkombëtare “UNRECOGNIZED” do ta ketë premierën botërore më 10 tetor, në Teatrin Shqiptar në Shkup. Kjo premierë njëherazi do ta hapë edhe edicionin e 20-të të Festivalit Ndërkombëtar Teatror “Skupi Festival”, që mbahet në Shkup.
E shkruar nga Jeton Neziraj dhe Davit Gabunia dhe me regji të Data Tavadze, shfaqja është një bashkëprodhim ndërkombëtar që bashkon gjashtë aktorë nga Ukraina, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Finlanda dhe Suedia. Duke u mbështetur në mitin e Ifigjenisë në Tauridë, shfaqja ndërthur dokumentarin, dëshmitë personale, fiksionin dhe humorin për të trajtuar luftën, zhvendosjen, kufijtë, përkatësinë dhe njohjen. “Çfarë i ndodh një qenieje njerëzore kur shtëpia, historia, apo edhe vetë ekzistenca e saj nuk njihet më?”, është njëra nga pyetjet që shfaqja shtron para spektatorit.
Pas premierës në Shkup, “UNRECOGNIZED” vjen në Kosovë më 12 tetor, në Teatrin e Gjilanit dhe më 13 tetor, në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë. Turneu vazhdon më pas në Tiranë (5 nëntor), Prizren (8 nëntor), për të vazhduar pastaj në qytet të ndryshme të Suedisë dhe Gjeorgjisë, duke përfshirë Malmö, Göteborg, Stokholm dhe Tbilisi.
Në shfaqje luajnë aktorët Ellen Jelinek, Kateryna Kisten, Kato Kalatozishvili, Maria Salomaa, Johannes Wanselow dhe Shkëlqim Islami.
Shfaqja është një bashkëprodhim ndërmjet këtyre teatrove dhe institucioneve kulturore: Qendra Multimedia (Prishtinë/Kosovë), Royal District Theatre (Tbilisi/Gjeorgji), Örnproduktion (Stokholm/Suedi), Theatre on Pechersk (Kyiv/Ukrainë), Teatri Shqiptar në Shkup (Shkup/Maqedonia e Veriut), Malmö Stadsteater (Malmö/Suedi), Dramaten (Stokholm/Suedi) dhe Göteborgs Stadsteater (Göteborg/Suedi).