Një shfaqje teatri me katër aktorë në Gjilan

Komedia “NJË SHFAQJE TEATRI… ” shfaqet të enjten (5 shtator, nga ora 20:00) në Teatrin e Gjilanit.

Kjo komedi ka pasur sukses të jashtëzakonshëm, kudo që është shfaqur, në Kosovë, Kroaci, Zvicër, Gjermani, Itali, Serbi e Maqedoni. Në Festivalin e Teatrit në Ferizaj ajo ka fituar çmimet për shfaqjen më të mirë, për regjinë më të mirë dhe çmimet për aktorët në rolet kryesore.

“një shfaqje teatri me 4 aktorë…” është shkruar nga Jeton Neziraj, kurse regjinë e ka bërë Blerta Rrustemi – Neziraj. Në të luajnë aktorët e njohur nga Kosova, Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Ernest Malazogu dhe Shpetim Selmani. Muzikantë të shfaqjes janë Art Lokaj dhe Drin Tashi.

Mbas daljes tragjikomike të Britanisë së Madhe nga BE, vendi i ngelur bosh duhet të plotësohet shpejt, përndryshe BE do të mund shkatërrohet.
Evropa ka kthyer sytë nga Kosova, e cila papritur gjendet para një mundësie historike të cilën ajo medoemos dëshiron ta shfrytëzojë. Por, siç ngjan zakonisht, ekziston edhe një sfidë e madhe. Pos Kosovës, mundësinë për të hyrë në BE e ka edhe Serbia.

Njerëz dhe kafshë në Kosovë mobilizohen t’i plotësojnë më mirë dhe më shpejtë se sa Serbia standardet që Evropa ka vënë si kusht. Dokumenti bazë i EU-së, që u dorëzohet autoriteteve kosovare, quhet Kosova dhe 3,000 rregullat e lehta të rrugës evropiane.

E shkruar nga një cinik vendas, kjo shfaqje teatri është një panoramë tragjikomike e realitetit të tanishëm kosovar dhe atij evropian. Aspirata e sinqertë e kosovarëve për në BE konfrontohet, në njërën anë, me rregullat e kërkesat e koklavitura dhe qesharake evropiane dhe, në anën tjetër, me hilen e burokratëve për t’i bërë gjërat ‘të duken ok vetëm në letër’.